Richard Stallman's personal site.

https://stallman.org

For current political commentary, see the daily political notes.

RMS's Bio | The GNU Project


Sugjerime për kushtetutat e vendeve

nga Richard Stallman

botimi i 7 korrikut 2013

Me përjashtim të neneve të mëposhtme, mendoj se ligjet duhet të miratohen me votim në organin ligjvënës dhe me votim të drejtpërdrejtë të popullit. Demokracia e drejtëpërdrejtë si pjesë e ecurisë ligjvënëse duket ta ketë mbrojtë mirë popullin në Zvicër dhe Islandë.

Të drejtat e njeriut

Të drejtat e njeriut u takojnë të gjitha vetave natyrore nën fuqinë ose tagrin e shtetit. Ato nuk u takojnë krijesave ligjore siç janë ndërmarrjet, të cilat gëzojnë vetëm të drejtat që u jepen me ligj.

Sovraniteti

Asnjë traktat ose marrëveshje ndërkombëtare nuk mund ta kufizojë të drejtën e shtetit me i rregullu llojet e prodhimeve dhe shërbimeve që mund të ofrohen për shitje nën tagrin e tij ose me i përcaktu mënyrat e lejuara të prodhimit të tyre (pa marrë parasysh se ku bëhet prodhimi); ose me i përputhë rregullimet e tilla me të drejtat e njeriut që nevojiten për ta mbrojtë shëndetin botor të shoqërisë, shëndetin financiar të vendit, standardin e përgjithshëm të jetesës në vend, mjedisin, qëndrueshmërinë e veprimtarisë ekonomike, të drejtat e punëtorëve, ose të drejtat e njeriut.

Shteti mund ta ushtrojë të drejtën e sipërcekur pa pasë detyrë me kompensu askënd, me përjashtim të rasteve kur vetë shteti përcakton ndryshe me ligj.

Demokracia

Me përjashtim të shpenzimeve të vogla që bëjnë qytetarët individualisht, ligji mund të kufizojë shpenzimet private që kanë për qëllim të ndikojnë zgjedhjet dhe mund t'u kërkojë shpenzuesve të identifikohen.

Mbyllja e derës rrotulluese

Ish-zyrtarëve shtetëtore mund t'u kufizohet me ligj për deri në 10 vjet pjesëmarrja në veprimtarinë ekonomike që e kanë pasë për detyrë zyrtare ta rregullojnë ose mbikëqyrin ose në veprimtari ekonomike që ka për qëllim të ndikojë në punën e qeverisë.

Privatizimi

Asnjë veprimtari shtetërore nuk mund të privatizohet, përveçse kur entiteti që rrjedh nga privatizimi shet prodhimet ose shërbimet e veta në një treg konkurrues dhe të përbërë kryesisht nga blerës privatë.

Shteti mund të rishtetëzojë çdo ish-veprimtari shtetërore që është privatizu në kundërshtim me këtë nen. Për ta rishtetëzu një veprimtari të tillë, shteti pagun si kompensim shumën që ka marrë për veprimtarinë kur ajo është privatizu minus shumën që entiteti i privatizuar dhe entitetet e ndërlidhura kanë fitu nga veprimtaria e privatizuar.

E drejta e inxhinierimit prapavajtës

Çdonjëri ka të drejtë të studiojë funksionimin e një mjeti që ka në pronësi ose ka marrë me qira dhe të botojë atë që mëson rreth atij mjeti. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm me marrëveshje të lidhur përmes negocimit individuor.

E drejta e autorit dhe tagri i patentës mund të kufizohen, jo vetëm të zgjërohen

E drejta e autorit dhe patentat janë privilegje të përkohshme të krijuara si nxitje artificore që ka për synim me arritë një baraspeshë mes dy qëllimeve botore: botimit të veprave dhe ideve të reja dhe lirisë me i përdorë veprat e botuara dhe idetë e njohura.

Shteti mund të zgjërojë ose kufizojë privilegjet të tashme ose të ardhme të së drejtës së autorit dhe patentës. Kufizimi i privilegjit nuk i jep të drejtë kompensimi mbajtësit të privilegjit.

Liria nga përgjimi i kompjuterizuar

Çdonjëri ka të drejtën e privatësisë nga përgjimi teknologjik. Kjo e drejtë nuk mund të kufizohet pa arsyetim. Andaj, asnjëri, qoftë entitet publik apo privat, nuk mund të përdorë teknologjinë e informimit për të rujtë rregullisht dhe vetvetiu për më shumë se një kohë të shkurtë të dhëna rreth individëve ose veprimtarive të tyre, përveçse për aq sa të jetë e domosdoshme: për t'i zbatu marrëveshjet që kanë lidhë ata individë; për t'i përcaktu detyrimet financiare që kanë ndaj shtetit; për të zbatu akte ligjore e nënligjore ndaj veprimtarive të tyre ekonomike; ose për ta zbatu një urdhër gjyqësor që saktëson vetat që do të vëzhgohen dhe të dhënat që do të ruhen.

Liria e regjistrimit

Çdonjëri ka të drejtë të regjistrojë herëpashere pamjet ose zërin në hapësira që në atë kohë janë të hapura për publikun dhe t'i botojë regjistrimet.

Liria bujqësore

Çdonjëri që zgjedh me u marrë me bujqësi ka të drejtë me i rujtë, shpërnda, shumu, dhe shitë bimët ushqimore dhe shtazët që i ka rritë ligjërisht.

Ndalimi i dokumenteve të përgjithshme të identifikimit

Për shkak se dokumentet e identifikimit për qëllime të përgjithshme nxisin vëzhgimin e përgjithshëm, shteti nuk do të lëshojë letërnjoftime individëve, përveçse për qëllim të posaçëm e të kufizuar, dhe lkredencial i tillë nuk do të këqyret për kurrfarë qëllimi tjetër pos atij për të cilin është lëshu, përveçse në pajtim me ligjin dhe të drejtat e njeriut.

Botu më 2013 në zotërim botor (domen publik) nga Richard Stallman.